Vazhdon greva në fabrikën e Audit në Hungari, godet prodhimin në Gjermani

Kompania prestigjioze gjermane e veturave, Audi, është detyruar të ndalë prodhimin në selinë e saj në Ingolstadt, Gjermani, për shkak të një greve të punëtorëve në fabrikën e saj në Hungari, ka thënë zëdhënësi i kompanisë.

Prodhimi në Ingolstadt është pezulluar për shkak se fabrika e Audit në Gyor të Hungarisë ka ndërprerë dërgesat e motorëve, raporton Reuters.

Punëtorët e Audit në Hungari të enjten e kaluar kanë hyrë në grevë një javore, duke kërkuar rritje pagash prej 18 për qind – rreth 235 euro më shumë në muaj.

Agjencia hungareze MTI njofton se negociatat mes drejtuesve të kompanisë dhe përfaqësuesve të sindikatës së punëtorëve kanë përfunduar mbrëmë pa ndonjë marrëveshje rreth rritjes së pagave.

Fabrika e Audit në Gyor të Hungarisë ka të punësuar rreth 13,000 persona.