Vazhdojnë reshjet e borës, këto janë temperaturat për javën e parë të pranverës

Ndonëse jemi futur zyrtarisht në stinën e pranverës me 20 mars, ky mot po i ngjanë një dimri të hershëm apo pranvere të vonuar, thotë Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Reshjet e borës do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të para të javës së ardhshme por intensiteti do të dobësohet nga e martë.

Mot i paqëndrueshëm dhe me temperatura nën vlerat e mesatareve do të vazhdojë deri ditën e enjte.

Tutje do të ketë rritje graduale në fushat termike.

Bora e cila po bie, aty ku ka mbulesë të tërësishme, do të jetë në favor të kulturave bimore, pasi që do të jetë një mbrojte nga ngricat që do të jenë prezent gjatë kësaj jave.

Sa i përket situatës biometeorologjike ajo mbetet e pafavorshme për personat me sëmundje kronike, ndërsa cilësia e ajrit paraqitet relativisht e mirë për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm të këtyre elementeve meteorologjike.

Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të lëvizin ndërmjet -4 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-11 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriperëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-9m/s.