Merdar

Vazhdojnë pritjet e gjata në Merdar, Policia hedh fajin te pala serbe

Pritje të gjata për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdar ka pasur edhe të dielën. Bazuar në të dhënat e Qendrës për Menaxhim Kufitar pritjet gjatë së dielës në këtë pikë kufitare shkuan deri në 3 orë. Por mërgimtarët thanë se pritjet e gjata nuk ua zbehin dëshirën për të vizituar vendin

800 metra larg pikës kufitare në Merdar ishin automjetet e fundit që prisnin për të kaluar kufirin, të dielën.

Mërgimtarët që erdhën për të kaluar festat e fundvitit në Kosovë, me fluks të madh po rikthehen në vendet që jetojnë e punojnë dhe kjo ka çuar në krijimin e kolonave të mëdha në pikat kufitare me Serbinë.

Bazuar në të dhënat e Qendrës për Menaxhim Kufitar pritjet gjatë së dielës në pikë kufitare në Merdar shkuan deri në 3 orë, e një ditë më parë deri në 7 orë.

Nexhmedin Dreshaj nga Istogu ka 35 vjet që jeton në Gjermani dhe sipas tij, pritjet janë të lodhshme.

“E mundimshme boll, kur të ke fëmijë, kur te jemi me ngarkesë se dojmë me shku me një shtet tjetër është për neve diçka e tepërt. Megjithëse, këta njerëz që e kalojmë në shtetin e tyre s’janë njerëz. Janë pa kuptim, s’kanë emocion, s’janë njerëz për neve” “Gjithë kemi qenë me rripa të lidhur na kanë dënuar”, ka thënë Dreshaj.

E disa mërgimtarë të tjerë thanë se kanë pritur deri në 5 orë, por siç thonë, ato nuk e zbehin dëshirën për t’i kaluar pushimet në vendin e tyre.

“Edhe pse ka kolonë, herëve të tjera menxi pres me ardhë në shtëpi, nuk më bën përshtypje. Pres më mirë, se sa mos me ardhë. Pres në kolonë veç me ardhë në shtëpi. Është problem pak për fëmijë te vegjël”, ka thënë Avdi Neziraj, që të dielën po kthehej në Itali.

Fisnik Mazreku, tash me vendbanim në Gjermani, është shprehur se gjithnjë preferon pikën kufitare të Merdarit.

“E mundimshme pak, kemi pritë qe 5 orë” “Po qetu kena kalu gjithë, është ma e lehtë me kalu. Pritjet janë gjithmonë të njëjta”, ka deklaruar Mazreku.

“Kena pritë shumë por nuk ka problem se gati mbërritëm në kufi. Kam ardhë në vendin tim hiç nuk pritoj me pritë në kolona”, ka shtuar Shqipdon Zogaj, që të dielën mori rrugën për Kroaci.

Sipas tyre pika kufitare në Merdar është destinimi për ta, pasi që është rrugë më e shkurtër dhe iu kursen kohë.

“Këtu e kemi më shkurt më trup, ja vlen pak më shkurt”, ka deklaruar Xhemajl Begaj, me vendbanim në Zvicër.

Salih Qovanaj, ndërkohë u shpreh i dëshpëruar, jo për pritjen, por pse po e linte Kosovën për t’u k thyer në Austri.

“Na demotivon që kemi me u kthy, këtu ka qenë shumë ma mirë. Kjo është që nuk na jep vullnet deri të shkojmë atje, kur të shkojmë adaptohemi edhe atje. Edhe atje është shumë mirë”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi, ka treguar se pala serbe po punon ngadalë dhe me kapacitete të vogla në pikën kufitare në Merdar. Këtë shqetësim thanë se e kanë adresuar edhe në mekanizmat ndërkombëtarë.

Për t’iu shmangur pritjeve të gjata, Policia ka udhëzuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.

Pritje gjatë ditës së diel deri në 1 orë pati edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë.