PëRPLASJET

Vazhdojnë përplasjet LVV-PSD në Komunën e Prishtinës

Propozimi për shkarkimin e bordit drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore është bërë mollë sherri ndërmjet asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së, në vazhdimin e mbledhjes së nëntë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.

Fillimisht ky propozim i iniciuar nga Egzon Azemi i LVV-së, është rrëzuar me 23 vota kundër 3 abstenime dhe vetëm 3 pro. Pas këtij votimi, asambleistët e LDK-së dhe LVV-së e lëshuan sallën.

‘’Unë propozoj që një seancë e tillë e pazareve të lodhta, me marr fund sa ma shpejt’’, deklaroi Azemi.

Ndërsa pas vazhdimit të seancës, Egzon Azemi u rikthye i vetëm në sallë, ku u fjalos me asambleistin e PSD-së Nol Nushi.

‘’O papagall, nuk është këtu kopsht zologjik, nuk e di kur dojin me e kuptu njerzit që këtu nuk është kopsht zologjik me bo si papagall gjithë ditën’’, tha Nushi.

Më pas Azemi iu kundërpërgjigj duke thënë se ndihet i shqetësuar që ‘’Adem Grabovci’’ i vogël, po bën ofendime në çdo seancë, madje edhe ofendime familjare, duke aluduar për Nol Nushin e PSD-së.

Ndërsa Nushi u përgjigj se ai e ka kritikuar politikisht Albin Kurtin, e nëse Azemi e konsideron si babë Albinin është problem tjetër, e ky nuk është ofendim familjar.

Në anën tjetër, Suzana Kika e AAK-së e ka deklaruar dorëhejqen e saj nga bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore.

‘’Dorëheqjen time e kam ofruar me datë 1 tetor në mënyrë elektronike. Sa i përket kësaj dorëheqje, nuk e di a ju ka informuar kryesuesi, po kushdo që është i interesuar që përmbajtjen e dorëheqjes ta ketë, mund ta kërkoni nga kryesuesi’’, deklaroi Kika.

Ndërsa pozitën e Suzana Kikës në bordin e NPB-së, e zuri Vesel Makolli me 25 vota pro dhe 1 abstenim.

Seanca ka vazhduar me pika të tjera të rendit të ditës , pas kthimit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në sallë.