Vasfije Krasniqi për marshin në Nju Jork: Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet në Kosovë

Me moton “Rally for her justice”, sot është protestuar para Konsullatës së Serbisë në Nju Jork, për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.Deputetja e Vetëvendosjes, Vasfije Krasniqi – Goodman, në një intervistë në Edicionin Special ka thënë që kanë pasë përkrahje të madhe për këtë marsh.

“Marshi ka shkuar shumë mirë është befasi aq shumë përkrahje që kemi pasë sidomos meshkuj, ka qenë diçka e jashtëzakonshme – ka qenë shumë më mirë se herën e kaluar në vitin 2019. Mesazhi kryesor i këtij marshi ka qenë që Serbia të mbahet përgjegjës për krimet që ka kryer në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje sidomos për dhunimet.

Goodman ka thënë që kjo është hera e dytë që po mbahet ky marsh dhe nuk do të jetë e fundit.

“Do të vazhdojë të mbahet derisa drejtësia të arrijë në vend. Për ne ka qenë një ditë e mrekullushme, pasi kemi pasë përkrahje prej shqiptarëve që na janë bashkangjitur në këtë marsh”, u shpreh ajo.

Krasniqi – Goodman është gruaja e parë në Kosovë që ka treguar hapur se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në mars të këtij viti, ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka thënë se prioritet do ta ketë luftën për të drejtat e njeriut dhe viktimat e luftës.