“Vasfija sot është më e fortë sepse për 19 vite kam pas mbështetjen e familjes, shoqërisë, por kur ta kesh mbështetjen edhe të popullit në Kosovë është krenari dhe më ka jep forcë që të luftoj edhe më shumë, jo vetëm për vete po për 20 mijë tjera”. Kështu fillon kështu rrëfimin e saj për Rubikon të KTV-së, Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pas daljes së saj publike ku shpalosi gjithë rrëfimin e saj, për herë të parë në sytë e botës, Krasniqi përveç mbështetjes së madhe që e mori, u përball edhe me opinione, sipas të cilave, guximi i saj kishte të bënte me mentalitetin ku ajo jetonte dhe me faktin se ishte e martuar me një shtetas amerikan dhe jo kosovar.

Në Rubikon të KTV-së ajo u dha përgjigjen këtyre zërave duke theksuar se mbi të gjitha ishte familja dhe katër vëllezërit e saj që e mbështeten gjatë tërë kohës dhe jo vetëm pasi që u martua.

“Dëshira ime është që me qenë edhe dikush që del me fol publikisht prej Kosovës e jo të thonë se Vasfija e ka pas lehtë veç pse e ka pas burrin amerikan. Unë i kam katër vëllezër, shqiptarë, kosovarë… mos të kisha unë përkrahjen e tyre, sado me pas të burrit, unë nuk do të mund të flisja nëse s’e kisha pas pajtimin e familjes në Kosovë”, tha Krasniqi Goodman.

“Ka qenë prekëse rrëfimi i grave tjera që nuk e kanë përkrahjen e familjes e sidomos të fëmijëve, të cilët u thonë, ti më mirë me bë vetëvrasje”, shtoi ajo. “Edhe unë kam prit 5 muaj për me më dal statusi, rasti im është pak ma ndryshe, në tri gjyqet e Kosovës janë dokumentet e mija. Unë kam luftuar për drejtësi prej ’99-ës, ka qenë shumë e lehtë ta verifikoj rastin tim, por prapë kam pritur 5 muaj”, sqaroi ajo.

Krasniqi Goodman thotë se puna e Komisionit do të mund të ishte më e shpejtë meqë edhe ajo po pranon vazhdimisht mesazhe të viktimave, të cilat e shohin atë si shpresë për ndihmë. Po ashtu, ajo përmend edhe faktin se ka zëra që po aplikojnë edhe persona të cilët nuk kanë qenë viktima të dhunës.

“Duhet t’u vijë turp atyre që në krahë të dikujt tjetër, duan të përfitojnë për veti”, shtoi ajo.

“Na jemi të plagosura por nuk na shihen vrimat, na nuk kemi shenja të plumbit por e kemi shpirtin e plagosur”, tha ajo. “Më kanë shkruar shumë të mbijetuara të cilat po presin një përgjigje, po ose jo. Ata do të ishte qenë mirë procesin ta shpejtojnë pak. Nëse jemi ne 20 mijë veta, edhe sa kohë shkon që t’ua njohim statusin edhe atyre?”, pyet Krasniqi Goodman.