Vasfije Krasniqi: Drejtësia ka dështuar për viktimat e luftës së Kosovës

Vasfije Krasniqi-Goodman, njëra nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë ka falënderuar të gjithë për mbështetjen pas fjalimit të saj në Kongresin Amerikan.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka thënë se ata që u munduan ta poshtërojnë dhe ta lëndojnë ende janë të lirë. Derisa shton se drejtësia ka dështuar në rastin e saj.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Dua t’ju falënderoj nga zemra për mesazhet e pafunda që me keni dërguar sot dhe dje.

Unë isha e nderuar që me ftesë të Kongresmenit Engel dhe Kongresmenit McCaul të jap dëshminë në Kongresin Amerikan për krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Unë jam një nga 20.000 gratë dhe burrat ndaj të cilëve është ushtruar terror dhe dhunë seksuale.

Ata që u munduan të më poshtërojnë dhe lëndojnë ende janë të lirë. Drejtësia ka dështuar në rastin tim. Drejtësia ka dështuar për viktimat e luftës së Kosovës.

Por unë kurrë nuk do të ndalem së thëni të vërtetën time dhe kurrë nuk do të ndalem së kërkuari drejtësi! /Ballkani.info