Në Pejë

Varroset çifti Gjocaj, humbën jetën të shtunën në aksident

Iu dha lamtumira e fundit bashkëshortëve Fahri e Vlora Gjocaj nga Babablloqi i Deçanit. Ata humbën jetën në aksidentin kur furgoni në të cilin ishin, u përplas nga treni. Familjarët akuzojnë institucionet përkatëse për mosvendosje të sinjalistikës.

Në varrezat e qytetit të Pejës mes lotësh e dhimbjesh të mëdha iu dha  lamtumira e fundit çiftit Fahri dhe Vlora Gjocaj nga Baballoqi i Deçanit të cilët humbën jetën tragjikisht më 9 mars të këtij viti.

Pas varrimit familjarët e çiftit të ndjerë kanë drejtuar akuza ndaj institucioneve shtetërore për  humbjen e më të dashurve të tyre, siç thonë ata, nga mosvendosja e pengesave sinjalizuese në afërsi të binarëve të trenit.

“Ne si familjar jemi të zhgënjyer me këtë rast. Nuk është ky rasti i vetëm që ndodhë në shtetin tonë. Një tren që udhëton prej Fushë Kosove nuk e ka emrin vetëm tren udhëtarësh por treni i vdekjes. Gjendje alarmante e cila na lë fëmijë jetima, na lë nënat pa fëmijë”, tha Lavdim Zhubi, familjar.

Fahri dhe Vlora Gjocaj humbën jetën në aksidentin tragjik mes trenit dhe një kombi-busi në mbrëmjen e së  shtunës, në fshatin Krushevë e Madhe të Klinës.