Me ceremoninë e Kostandinos Kacifas s’mund të mos mungonin dhe thirrjet e rënda për të vrarë shqiptarët, për t’i djegur si “qentë” apo për të treguar se toka ku ata po shkelin e varrosin 35 vjeçarin, është greke.
Disa nga koret e dëgjuara këtë të enjte të varrimit të Kacifas kanë qenë të ashpra dhe eksplicite, teksa trupi i pajetë i Kacifas është zbuluar dhe ka kaluar “nën” flamurin e madh grek që mbahej nga dhjetëra grekë.
“Maqedonia është Greqi”; “Vorio Epiri është grek”; “Gjaku na thërret për të djegur shqiptarin”; “Gazetarë të poshtër”; “Zjarr kundër qenve shqiptarë”- këto ishin disa nga thirrje dhe koret raciste të dala sot nga një ceremoni varrimi në fshatin e Gjirokastrës.
Por kush qëndron prapa gjithë kësaj zallamahie dhe skenash aspak normale? Sipas historianit shqiptar Arben Llalla, sot në Bularat kanë qenë të shumtë eksponentët e “Agimit të Artë” partisë neonaziste greke që ka kërkuar dhe vijon të mbajë qëndrim ekstrem për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Historia madje ka bërë dhe disa foto ku tregon për personat që kanë hyrë në Bularat. Evidentohen drejtues të lartë të Agimit të Artë si drejtues i lartë i sigurimit të partisë naziste Agimi i Artë, Koloneli grek Anestit Katsis, Gjenerali-Major i ushtrisë greke, eurodeputet i partisë naziste i Agimit të Artë, Eleftherios Sinadhinos.

Madje një tjetër detaj interesant është dhe vendi ku pritet të varroset trupi i Kacifas. Në gropën e varrit është lënë një flamur grek, i cili sipas historianit nuk “varroset” në asnjë vend të botës.









