Varianti i ri i koronavirusit “mund të jetë më vdekjeprurës”

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka bërë të ditur të premten se varianti i ri i koronavirusit, i zbuluar në Angli, mund të jetë i ndërlidhur me nivelin më të lartë të vdekshmërisë në vend.

Ai megjithëkëtë ka shtuar se dëshmitë e deritanishme kanë treguar se që të dy vaksinat e përdorura kundër COVID-19 në Britani, kanë rezultuar efikase kundër tij. Por Johnsoni ka tërhequr vërejtjen se varianti i ri, i cili veçse është konstatuar se përhapet më shpejt, ka vënë nën “presion enorm” shërbimet shëndetësore të Britanisë.

Njoftimi i Johnsonit është rezultat i një studimi të ndërmarrë nga Instituti për Shëndet Publik në Angli, Kolegji Mbretëror i Londrës, shkolla londineze për Higjienë dhe Universiteti i Exeterit, mbi shkallën e vdekshmërisë nga varianti i ri i koronavirusit. Gjetja e tyre është vlerësuar edhe nga shkencëtarë të pavarur. \ Reuters