Varianti i ri i koronavirusit arrin edhe në Kinë, shënohet rasti i parë

Kina e ka konfirmuar rastin e parë të variantit të ri të koronavirusit. Personi i infektuar është një grua 23 vjeçe që erdhi nga Britania në Shangai më 14 dhjetor.

Qendra për Kontrollimin e Sëmundjeve në Kinë tha se ky rast paraqet kërcënim me potencial të madh për përpjekjet e shtetit për parandalimin dhe kontrollimin e përhapjes së virusit.

Varianti i ri i koronavirusit, për të cilin ekspertët thonë se përhapet shumë më shpejt se varianti fillestar, ka bërë që shumë shtete t’i vendosin kufizime në udhëtime personave që vijnë nga Britania. Në mesin e këtyre shteteve është edhe Kina.

Autoritetet kineze thanë se pacientja e prekur nga varianti i ri është hospitalizuar pas arritjes në aeroport për shkak se shfaqi pasoja të lehta, shkruan Daily Mail.

Gruaja tha se ka dalur për të vrapuar në një park pa e vendosur maskën dhe e ka hequr atë në aeroport gjatë pritjes.

Qendra për Kontrollimin e Sëmundjeve ia ka analizuar dhe ia ka përcjellë kontaktet gruas së infektuar. Ndryshe, Kina më 24 dhjetor i ndaloi për afat të pacaktuar udhëtimet nga Britania dhe drejt Britanisë nga 24 dhjetori.