Varhelyi përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi për lëvizje të lirë dhe ka një shpresë

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, përshëndeti marrëveshjen për lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se shpreson që ajo të shënojë një epokë të re të përparimit të vërtetë në dialog.

Varheli përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se dialogu duhet të bazohet në marrëveshjet e ndërsjella dhe zbatimin e tyre.

“Unë e mirëpres marrëveshjen për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sinqerisht shpresoj që kjo të shënojë një epokë të re të përparimit real në dialog, bazuar në marrëveshjet dhe zbatimin e ndërsjellë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se të shtunën është njoftuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Kështu bëri të ditur më 27 gusht shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.