Vandalizëm në Brazil! Fishekzjarre, të shtëna me armë,  përleshje pas humbjes së Vasco da Gama

Dhuna vazhdon në futbollin brazilian, këtë herë në stadiumin “São Januário”.  Pas humbjes 0-1 të Vasco da Gama kundër Goias, një grup i madh tifozësh të skuadrës së Rio de Zhaneiros u shfaqën në skena vandalizmi.

Me mbarimin e ndeshjes filluan të hidheshin fishekzjarre në fushë. Policia u përgjigj me spraj piperi për të shpërndarë tifozët, por rezultati ishte më agresiv.

Ata u përpoqën të prishin mbrojtjen akrilike, që i pengonte për të mbërritur dhe pushtuar fushën, ku ka pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë me agjentët në rrethinat.

Një skenë tërhoqi vëmendjen: një baba me një fëmijë që refuzoi të largohej nga tribuna. “Ju keni armë, keni gjithçka. Unë kam një djalë 7-vjeçar. E di që ai nuk duhet të jetë këtu, por ju po e shihni … kuaj kudo, të shtëna armësh, spraj me piper. E kam gabim por, nuk do të vij kurrë më në stadium”.

Pas përfundimit të ndeshjes, Vasco da Gama njoftoi shkarkimin e trajnerit të tyre, Maurício Barbieri. Skuadra ka kaluar dhjetë ndeshje pa fituar, duke humbur gjashtë të fundit dhe është në zonën e rënies në kampionatin brazilian.

Një ditë më parë, skena të ngjashme në Vila Belmiro çuan në sanksionimin e Santos, i cili do të duhet të luajë me dyer të mbyllura të dielën e ardhshme kundër Flamengos.