Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil Van Dijk thotë se nuk ka asnjë arsye që të frikësohen nga përballja me Paris Saint Germainin, teksa shtoi se “The Reds” janë një prej skuadrave më të mira në Europë.

PSG ka pasur një sezon perfekt në Ligue 1 duke i fituar 14 ndeshjet e para, por humbja potenciale kundër Liverpoolit të mërkurën në mbrëmje mund t’i lë parisienët jashtë Champions Leagues.

Në anën tjetër fitorja do t’i kualifikonte anglezët për në fazën me eliminim direkt pa pasur nevojë të kalkulonin në ndeshjen e fundit me Napolin në shtëpi.

Te PSG-ja pritet rikthimi i dyshes Neymar dhe Mbappe, por Van Dijk është i motivuar për t’u kthyer me rezultat pozitiv nga kryeqyteti francez.

“Nuk kam asnjë frikë. Ne i respektojmë ata si skuadër por e vërteta është se synojmë ta fitojmë ndeshjen. Do të jemi të motivuar dhe do ta fillojmë ndeshjen mirë që nga fillimi. Nuk duhet të harrojmë se edhe ne jemi njëra prej skuadrave më të mira në Europë. E kemi arritur finalen sezonin e kaluar dhe dëshirojmë ta përsërisim suksesin e njejtë edhe këtë vit. Ky është qëllimi ynë, kështu që do të provojmë të fitojmë ndaj tyre”, deklaroi Van Dijk.

Liverpooli ka treguar formë të mirë edhe në Premier Leauge derisa ndodhet vetëm dy pikë prapa liderit, Manchester Cityt, kurse dy skuadrat nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes në elitën e futbollit anglez.