Valverde lavdëron bashkëpunimin mes Messit dhe Dembeles
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde është ndarë i kënaqur me mirëkuptimin mes Lionel Messit dhe Ousmane Dembeles, me dyshen e sulmit që ishin vendimtarë në fitoren 1-2 të katalanasve në udhëtim te PSV Eindoheven.
Ylli argjentinas realizoi kundër PSV-së duke u bërë golashënuesi më i mirë për një klub të vetëm në Champions League me 106 rrjeta, gjersa Barcelona siguroi vendin e parë në grupin B.
Në anën tjetër edhe Ousmane Dembele që së fundmi është lidhur me një largim nga “Camp Nou”, pati paraqitje pozitive duke asistuar ndaj klubit holandez.
“Nuk e di se si Messi arriti ta shënojë atë gol. Por ai dhe Dembele kombinuan shumë mirë me njëri-tjetrin. Mund të llogaritësh në ta se mund të gjuajnë në portë në secilën situatë. Kishim pak probleme në 20 minutat e parë. Janë disa momente në të cilat duhesh të dish të vuash. Ata kishin guxim që e bëri ndeshjen e vështirë, por ne jemi të lumtur pasi siguruam vendin e parë në grup”, theksoi Valverde.
Barcelona ka grumbulluar 13 pikë pas 5 xhirove të zhvilluara, ndërsa e pret Tottenhamin në “Camp Nou” në ndeshjen e fundit të grupit, me londinezët që synojnë kualifikimin dhe vetëm fitorja iu bën punë.