Ish sekretari

Valon Tolaj i AAK-së pritet ta udhëheq AKP-në

Ish-sekretari ekzekutiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valon Tolaj, do të jetë në krye të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Burime të Kohavisionit bëjnë të ditur se Tolaj do të jetë njeriu që do të zëvendësojë Ekrem Hajdarin, të shkarkuar nga kjo pozitë ditë më parë.

Ai ka shërbyer në strukturat e AAK-së për shumë vjet, derisa një kohë udhëhoqi Forumin rinor të AAK-së dhe zgjedhjet e fundit kandidoi për asamble komunale në Prishtinë.

Tolaj mbahet mend për propozimin e tij të “çuditshëm” që të vendoset një taksë simbolike për të gjithë ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare në Kosovë.

Ky propozim i tij kishte dalë në kohën kur Kosova po vlonte nga debatet për veteranët e rremë.

Sidoqoftë, ish-drejtori i AKP-së, Ekrem Hajdari, në Interaktiv deklaroi se vendimi për shkarkimin e tij ishte politik.

Ai nuk di ndonjë arsye tjetër sepse arsyetimi i Bordit se shkarkimi i tij bëhet shkaku i performancës së dobët, nuk qëndron.

Hajdari ka bërë të ditur se do të ankohet për këtë vendim në organet kompetente dhe se do të kërkojë ta përfundojë mandatin ose të kompensohet për pjesën e mbetur deri në fund.

Handari ka thënë se ndihet krenar që ish-kryeministri Isa Mustafa i doli në mbrojtje.

Drejtorët e AKP-së zgjidhen me një propozim të kryesuesit të Bordit, sipas një rregulloreje të nxjerrë në vitin 2016.

Kjo rregullore përcakton kompetenca për bordin që ta emërojë drejtorin pa hapur fare konkurs.