Valdete Daka: Deklaratat e ministrit të Financave janë ofenduese

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve as ditën e sotme nuk i është alokuar buxheti për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Podujevës.

Qeveria dje mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare këtij institucioni, por pa mëditje.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja Valdete Daka u shpreh e ashpër me deklaratat e ministrit të Financave, Besnik Bislimi në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se ato janë ofenduese.

Kryesuesja e KQZ-së tha se të krahasohet institucioni i tyre me zhvatës dhe kriminelë që e zhvatin buxhetin e shtetit nuk është në rregull.

“Deklaratat e ministrit të Financave kanë qenë ofenduese. Zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë angazhim të jashtëzakonshëm pavarësisht a organizohen në një komunë apo në tërë Kosovën. Angazhimi i punëtorëve dhe stafin kërkon angazhim edhe jashtë orarit të punës. Sipas ligji t për punë çdo angazhim jashtë orarit të punës paguhet. Nuk është në rregull që të ofendohemi derisa punojmë. Të krahasohemi me zhvatës me kriminelë që e zhvatin buxhetin e shtetit nuk është në rregull”, tha ajo.