Vaksinimi

Vaksinimi vazhdon edhe përkundër problemeve teknike në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë

Procesi i vaksinimit është duke vazhduar edhe sot në Sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ndonëse atje janë duke pasur probleme teknike. Këtë e ka konfirmuar për Express, menaxheri i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi.

Në një përgjigje me shkrim, Bardhi tha se po kanë problem me sistemin për regjistrimin e të dhënave të personave të vaksinuar, por se regjistrimin e tyre po e bëjnë në librat e protokollit.

“Edhe përkundër problemit me sistemin, procesi i vaksinimit është duke vazhduar duke bërë regjistrimin e qytetarëve në librat e protokollit, dhe më pas do të futen të dhënat në sistem sapo të funksionalizohet. Qe nga ora 07.00 kur kemi filluar, janë duke u ofruar vaksinimet kundre Covid-19 si dhe kundër gripit sezonal”, ka thënë Bardhi për Express.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit në Kosovë me dozën e dytë të vaksinës janë vaksinuar 770,941 qytetarë.

Në raportin 24 orësh, Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se është regjistruar një rast i vdekjes nga Covid-19, si dhe janë shënuar shtatë raste të reja.