Vaksinimi kundër gripit nis në javën e parë të nëntorit

Vaksinimi kundër gripit sezonal do të fillojë të zbatohet nga java e parë e nëntorit në qendrat për shëndet publik nëpër vend.

Këtë vit, për herë të parë vaksinimi do të jetë pa pagesë për personat mbi 65 vjeç me pension mesatar dhe nënmesatar, si dhe për ata pa pension. Për personat e tjerë të cilët dëshirojnë të vaksinohen, aktualisht po caktohet shuma që duhet ta paguajnë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Janë siguruar gjithsej 28.000 doza të vaksinave për mbrojtje nga gripi sezonal për vitin 2018/2019.

Bëhet fjalë për vaksinën më të re katërvalentëshe kundër gripit, e cila mbron nga katër lloje të inlfuencës dhe është prodhim i kompanisë farmaceutike franceze “Sanofi Paster”.

Vaksinimi kundër gripit nuk është obligues dhe jepet në bazë vullnetare, por është e rekomanduar për të sëmurët kronikë dhe pacientët e moshuar.