Vaksinat më nuk jepen më pa pasur termin, Ministria e Shëndetësisë: Personat pa termine penguan të tjerët që të vaksinohen

Komiteti për imunizimin e popullatës i Ministrisë së Shëndetësisë ka urdhëruar qysh dje të gjitha qendrat e vaksinimit në Kosovë që të mos japin doza të vaksinës për “asnjë qytetar pa termin”.

Vendimi vjen në një periudhë kur fluksi i qytetarëve të interesuar për të marrë vaksinën anti-Covid është rritur me të madhe, pas rritjes shqetësuese të numrit të rasteve të të infektuarve në Kosovë.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë, ka arsyetuar këtë vendim.

Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë se personat që kanë shkuar për të marrë vaksinat pa termin i kanë penguar të tjerët që kanë pasur termin.

“Vaksinimi prej fillimit ka qene me terminë, qofte përmes e-Kosova, qofte përmes Basic HIS (QKMF-ve)”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

“Duke pare se ne qendra te ndryshme te vaksinimit kane shkuar persona edhe pa terminë duke  i penguar te tjerët qe kane terminë te caktuara për vaksinim, te gjitha qendrave te vaksinimit u është rikujtuar qe te vaksinojnë vetëm personat me termine, siç ka qene prej fillimit te vaksinimit”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Reporteri.net

Ndryshe, MSH nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës nëse kur vendim vjen pasi mund të mos ketë sasi të mjaftueshme të vaksinave anti-COVID në Kosovë, krahasuar me kërkesën e qytetarëve për tu vaksinuar.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit në Kosovë janë vaksinuar rreth 22 mijë qytetarë, derisa sipas tyre mbi 729 mijë është numri total i dozave të shpërndara në Kosovë të vaksinës anti-COIVD. Prej tyre, mbi 485 mijë të vaksinuar vetëm më dozën e parë, ndërsa mbi 244 mijë të imunizuar me të dy dozat.