Vaksina e Modernas duket se është e efektshme edhe kundër varianteve të reja

Vaksina e Modernas kundër COVID-19 duket se ka efekt pozitiv kundër varianteve të reja të virusit të gjetura në Britani dhe Afrikën e Jugut, thonë shkencëtarët e kompanisë farmaceutike.

Testimet e hershme laboratorike sugjerojnë se antitrupat e marrë nga vaksina, mund t’i njohin dhe t’i luftojnë variantet e reja.

Më shumë studime duhet konfirmuar nëse kjo është e vërtetë për njerëzit që janë vaksinuar.

Variantet e reja po përhapen shpejt në shumë vende, shkruan BBC. Ata kanë pësuar mutacione që do të thotë se njerëzit mund të infektohen më lehtë se virusi i paraqitur fillimisht.

Vaksinat aktuale janë dizajnuar për variantin e mëhershëm që shkaktoi pandeminë, por shkencëtarët besojnë se ato mund të jenë të efektshme ndaj varianteve të reja.