Vaksina e firmës amerikane kundër Covid 19 del me rezultate tek të moshuarit

Moderna Inc thotë se të dhënat e hershme të vaksinës së saj kundër koronavirusit tregojnë se ato shkaktojnë përgjigje imune tek të moshuarit, ngjashëm sikurse edhe tek të rinjtë pjesëmarrës.

Firma amerikane që po zhvillon vaksinën është një nga pretendentët kryesorë në SHBA për të zhvilluar një dozë të sigurt dhe efektive kundër COVID-19 dhe kandidati i saj, mRNA-1273, është tashmë në fazën e tretë të testimit në njerëz, shkruajnë mediet britanike.

Sidoqoftë, të dhënat e publikuara shënojnë herën e parë të shfaqjes së rezultateve efikase tek pjesëmarrësit, që prej zhvillimit të vaksinës.

Vullnetarët e moshuar jo vetëm që prodhuan nivele të larta të antitrupave neutralizues, por edhe qelizat T, të cilat janë një lloj qelizë e bardhë e gjakut që e vrasin virusin, u tha të mërkurën nga ndërmarrja bioteknologjike.

Për më tepër, nivelet e antitrupave ishin më të larta sesa tek pacientët që e kishin kaluar virusin korona.

Vaksina e Moderna, mRNA-1273, detyron trupin të prodhojë disa prej proteinave virale, të cilat sistemi imunitar më pas i njeh dhe ndërton një reagim mbrojtës ndaj tyre.

Të moshuarit janë ndër grupet me rrezikshmëri më të lartë të zhvillimit të gjendjes së rënduar si shkak i COVID-19, gjë që mund të çojë deri tek shpierja e tyre në njësitë e kujdesit intenziv, e madje edhe deri tek vdekja.