“Ushtria serbe në gjendje gatishmërie”, deklarohet KFOR-i

Mbrëmë mediat serbe raportuan se dronë nga Kosova kanë vëzhguar kazermat dhe pozicionet e ushtrisë së Serbisë. Pas kësaj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq vendosi të ngre në qiell aeroplanët MiG-29 për të vëzhguar territorin dhe për të intervenuar në rast të ndonjë sulmi.

Pretendimet e Serbisë u mohuan nga ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj i cili i quajti të pavërteta. Sipas tij, diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve.

Provokimet e Serbisë kanë nisur të KFOR shkaktojnë panik, pasi situata mund të përshkallëzohet. Zyrtar të KFOR-it thonë se për të pasur stabilitet, duhet shmangur veprimet dhe iniciativat e njëanshme.

“Tani është çelësi për të shmangur veprimet dhe iniciativat e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme”, kanë thënë nga KFOR për Insajderin.

Tutje, KFOR ka theksuar se në përgjithësi, situata është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

“KFOR-i vazhdon të kryejë çdo ditë misionin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes”, thekson KFOR.

Akuzat për vëzhgime nga dronët, i ka vazhduar edhe sot ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviq. Ai ka thënë se e ka zbuluar që dronët kanë ardhur nga Kosova, dhe kanë spiunuar pozicionet e njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Po ashtu, ai theksoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nesër do të vizitojë një pjesë të ushtrisë për të siguruar se stërvitjet ushtarake po shkojnë mirë. /Insajderi