Forcat e Mbrojtjes

Ushtria izraelite publikon foto të zyrtarëve të lartë të Hamasit që pretendon se i ka vrarë në Gaza

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë publikuar një foto të një grupi zyrtarësh të lartë të Hamasit që pretendon se i kanë vrarë në operacionin e saj ushtarak në Gaza.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fotoja tregon 11 burra nga Brigada e Gazës Veriore – njësia e dytë më e madhe në Hamas, sipas IDF, të ulur rreth një tavoline, pesë prej të cilëve janë rrethuar me të kuqe dhe etiketuar si “të eliminuar”.

Burrat që dyshohet se janë vrarë janë:

Abu Rakba, kreu i Divizionit Ajror

Rafat Salman, komandant i Batalionit të Ndihmës

Ahmed Al-Gandour, komandant i Brigadës Veriore

Wael Rajab, zëvendës komandant i Brigadës Veriore

Ibrahim Al-Biari, komandant i Batalionit Qendror Jabaliya

Në një deklaratë, IDF tha se luftëtarët u vranë në një sulm në një tunel të Hamasit, ku ata ishin “të fshehur nën shtëpitë e civilëve dhe afër spitalit indonezian”.

Sipas IDF, Al-Ghandour ishte “kreu i formacionit ushtarak dhe përgjegjës për vëzhgimet në veri të Rripit të Gazës”.

Brigada u godit rëndë në sulm, sipas IDF, dhe funksionimi i saj është komprometuar ndjeshëm për shkak të dëmtimit të qendrës së saj komanduese dhe infrastrukturës në tunelet poshtë Gazës.

IDF gjithashtu pretendon se ka vrarë katër komandantë batalioni në Brigadën e Gazës, të cilët nuk janë fotografuar, duke shkatërruar selinë e batalionit dhe infrastrukturën e saj, si dhe duke marrë kontrollin e bastioneve qendrore të Gazës.