Ushtria e Kosovës, e gatshme për operacione jashtë vendit

Ushtria e Kosovës jo veç mbrojtjen e territorit brenda, por shpejt mund të fillojë edhe operacionet jashtë kufijve.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, në mbledhjen e Qeverisë tha që FSK-ja është e gatshme të bashkëpunojë e të marrë pjesë në operacione ushtarake.

Këtë deklaratë Quni e tha derisa propozoi të votohet koncept-dokumenti për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.

“Politika e hartuar hap rrugë për krijimin e bazës ligjore në përcaktimin e përgjegjësive dhe kompetencave të institucioneve në rast të dërgimit të FSK-së jashtë vendit si dhe proceduat e dërgimit në operacione ndërkombëtare dhe aktivitete tjera ushtarake, mënyrën e tërheqjes, zëvendësimin dhe mënyrën e financimit”, njoftoi Quni gjatë fjalës së tij.

Për këtë punë, dy anëtarë të Qeverisë votuan kundër dhe një abstenoi.

Megjithatë, votat ishin të mjaftueshme për t’u votuar kjo gjë.

E para se të merrej vendimi, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha që dokumenti në fjalë ka kosto shtesë që nuk janë të parapara me kornizë e projeksione buxhetore.

“Në skenarin e parë bëhet fjalë për 4.3 milionë e në skenarin e dytë mbi 3 milionë. Prandaj rekomandojmë që gjatë hartimit të projektligjit të gjitha aktivitetet të bëhen brenda ndarjeve buxhetore”, tha Krasniqi.