Ushtria e Kosovës, 6 për qind pjesëtarë nga komunitetet jo-shumicë

Forca e Sigurisë së Kosovës numëron mbi 2500 anëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë.

Sipas strukturës gjinore, Forca e Sigurisë së Kosovës ka 88 për qind meshkuj dhe 12 për qind gra e vajza, raporton Demokracia.com.

FSK-ja është forcë shumetnike dhe aktualisht në përbërjen e saj nga numri i përgjithshëm i personelit, ka rreth 6 për qind të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë. Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Demokracia.com koloneli Sefer Isufi.

“Aktualisht, FSK, në përbërjen e saj nga numri i përgjithshëm i personelit, ka rreth 6% të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë nga përbërja etnike si: boshnjak, turq, serb, ashkali, egjiptian, rom, goran dhe malazez”, ka deklaruar kolonel Isufi.

Ai ka shtuar se Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ndër objektivat kryesorë ka shtimin e numrit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

“Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ndër objektivat kryesor ka shtimin e numrit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në FSK, si dhe integrimin sa më të qëndrueshëm të tyre”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, në Policinë e Kosovës janë mbi 84 për qind e punonjësve që i përkasin nacionalitetit shqiptar dhe mbi 15 për qind janë të nacionaliteteve të tjera, si serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkali, egjiptas, goranë apo në numër mbi 1350 punonjës i përkasin etnive të tjera.