Serhiyt

Ushtarin ukrainas të verbuar dhe amputuar, të cilin zëri i gruas e mbajti gjallë

Ai po udhëtonte me shtatë ushtarë të tjerë në nëntor të vitit 2022 kur automjeti u godit. Shpërthimi i shkaktoi dëme të pariparueshme shëndetësore duke ia thyer shtyllën kurrizore, hundën, duke ia dëmtuar sytë, duke i shkaktuar dëmtim në tru, djegie të rënda në fytyrë dhe trup.

(BBC) – Teksa Serhiyt ngadalë filloi t’i rikthehej vetëdija në shtratin e tij të spitalit në Kiev, ai e kuptoi se nuk mund të shihte, fliste apo të ndjente këmbët – mirëpo mund ta dëgjonte zërin e gruas së tij, Valerias. I ngushëlluar nga kjo, ai humbi përsëri ndjenjat.

Ishte gjendje që zgjati me javë të tëra. Ushtari ukrainas i plagosur rëndë do të zgjohej nga errësira dhe paniku, i paaftë për të komunikuar për shkak të tubit në fyt – por sa herë që dëgjonte zërin e Valerias, qetësohej.

“Kjo është ajo që më bëri të luftoj”, i tha ai podcastit të BBC-së në Ukrainë.

“Deri atëherë, kisha vetëm makthe. Ëndrra të tmerrshme në të cilat po shkatërrohesha – dhe më pas drita në rikthimin e vetëdijes ishte zëri i saj… Sepse doja të kthehesha tek ajo. Ta përballoja edhe këtë gjendje, pastaj të isha me të”.

Serhiy, 27 vjeç, pësoi lëndime katastrofike kur automjeti i tij goditi një minë antitank ruse në vijën e frontit të Ukrainës pranë Mariinkas, nëntë muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të vendit.

Si një ushtar që shërbente tashmë para luftës, kishte dalë në mes të luftimeve që nga dita e parë, në shkurt të vitit 2022. Shpesh kalonte javë pa folur me Valerian, e cila mbeti në qytetin e tyre të lindjes, Kiev.

Ai po udhëtonte me shtatë ushtarë të tjerë në nëntor të vitit 2022 kur automjeti u godit. Shpërthimi i shkaktoi dëme të pariparueshme shëndetësore duke ia thyer shtyllën kurrizore, hundën, duke ia dëmtuar sytë, duke i shkaktuar dëmtim në tru, djegie të rënda në fytyrë dhe trup.

Serhiy nuk mund të kujtojë asgjë nga ajo ditë – por Valeria nuk do ta harrojë kurrë atë.

“Nuk e prisja që ai të kthehej nga lufta me të dyja këmbët”, thotë Valeria. “ As nuk isha e përgatitur për shkallën e plagëve të tij kur e pashë”.

“Mendimi im i parë ishte thjesht një lehtësim që ai ishte gjallë, sepse, nga përshkrimi i asaj që i ndodhi, nuk ishte e qartë nëse do t’i kthehej vetëdija ndonjëherë. Kështu që shkova në spital dhe pashë të dashurin tim, plot me tuba të ndryshëm. Fare nuk reagonte. Kjo ishte pjesa më e frikshme”.

Serhiy rifitoi vetëdijen pas 20 ditësh në koma. Më pas ai kaloi një javë në kujdes intensiv, dy javë të tjera në njësinë e lëndimeve traumatike dhe më pas disa muaj në rehabilitim.

Ai ka një qasje stoike ndaj lëndimeve të tij dhe thotë se, për të, humbja e dy këmbëve është më mirë se humbja e një krahu. Valeria ka një qasje të ngjashme pragmatike: “Një burrë i verbër, pa këmbë – nuk është aq keq”, qesh ajo, duke shtuar se si një ish-stomatologe ajo thjesht ndjehet e lehtësuar që nuk i humbi edhe dhëmbët.

Javën e kaluar, pasi udhëtoi për në SHBA me shpresën për të shpëtuar një pjesë të shikimit në syrin e tij, atij iu kumtua lajmi i hidhur se nuk mund të shpëtohej – se ai kishte humbur plotësisht shikimin.

Edhe pse çifti ishte i zhgënjyer, ata mbeten me shpresë për të ardhmen dhe Serhiy tani dëshiron të kalojë jetën e tij duke mbrojtur dhe ndihmuar ushtarët e tij të plagosur.

“Kam kaq shumë plane saqë një jetë nuk është e mjaftueshme për të gjitha”, është shprehur ai. “Unë patjetër që do të kthehem në Ukrainë. Ky është vendi im. Kam luftuar për të. I kam marrë plagët për të”.

Ai ka në plan të hapë dy organizata, të dyja që synojnë të ndihmojnë veteranët e plagosur, duke përfshirë një për t’u ndihmuar ta rindërtojnë jetën pas luftës.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia refuzojnë të japin shifrat e ushtarëve të tyre të plagosur dhe të vdekur, por zyrtarët amerikanë, të cituar nga New York Times, thonë se numri është 70 mijë të vdekur dhe deri në 120 mijë të plagosur, që nga gushti i vitit 2023.

Teksa Serhiy pohon se lëndimet e tij nuk e kanë ndryshuar atë, Valeria nuk është dakord.

“Ai është bërë më i përgjegjshëm”, shpjegon ajo. “Tash ai ndihet përgjegjës për të gjithë vendin, për krejt Ukrainën”.