Ushtari amerikan keqtrajtohet nga policia VIDEO

Një pjesëtar i ushtrisë amerikane ka paditur dy zyrtarë policorë në Virginia për keqtrajtim gjatë një kontrolli të zakonshëm. Në videon e publikuar të shtunën, shihen dy zyrtarët policorë që ia drejtojnë armën ushtarit me uniformë.

Caron Nazario, shtetas amerikan me prejardhje latine, ka thënë se të drejtat kushtetuese i janë shkelur gjatë ndaljes nga policia në muajin dhjetor të vitit 2020. Në këtë video ushtaraku vazhdimisht pyet për arsyet e ndaljes, por njëri nga policët hesht dhe vetëm i kërkon daljen nga vetura.

Polici Daniel Crocker ka kërkuar ndihmë në radio pasi kishte ndalur një veturë pa targën e përparme dhe me xhama të errësuar. Ai ishte arsyetuar se ngasësi i veturës po tentonte t’i ikte policisë dhe se konsiderohej si ndalje me rrezik të lartë.

Sipas padisë së ushtarakut, dy policët menjëherë kanë nxjerrë armët dhe ia kanë drejtuar atij pa asnjë arsye. Ndërkaq, në një pjesë të pamjeve shihet polici që hedh sprej djegës në drejtim të ushtarakut.