Ushtarë amerikanë, polakë, turq dhe gjermanë, etj., nga batalioni i manovrës i Komandës Rajonale Lindore të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, po kryejnë patrullime ajrore mbi veri të Kosovës.
Në një njoftim nga KFOR-i thuhet se këto aktivitet që janë realiziaur edhe gjatë ditës dhe natës me njësitë ajrore, lejojnë patrullat të arrijnë zona kyçe përgjatë kufirit, duke forcuar ndërveprimin, koordinimin dhe gatishmërinë operacionale mes forcave të KFOR-it në rajon.
Përmes kësaj komunikate, KFOR shton se këto aktivitete janë thelbësore për ruajtjen e kohezionit dhe gatishmërisë së njësive dhe se sigurojnë vazhdimësinë e efektivitetit të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
“KFOR vazhdon të zbatojë mandatit të saj – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre respektive si reagues të sigurisë”- shkruhet në njoftimin e lëshuar sot më 23.10.2025.







