Ushtarët amerikanë po tërhiqen – Si kishte tentuar Thaçi ta “trishtojë” Mustafën?

Kreu i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ftuar mbrëmë në emisionin Pressing në T7, ka zbuluar për herë të parë se kishte marrë një vizitë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që një delegacion amerikan kishte qëndruar në vend, derisa, siç thotë Mustafa, presidenti tentoi ta binde se Amerika mund të heq trupat nga Kosova nëse nuk hiqej vendimi për taksën për produktet serbe e boshnjake.

Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake, e reagimit të ashpër të SHBA-së që e njëjta të hiqej, në media patën qarkulluar lajmet se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjeshin duke hequr nga kampi i Bondsteeli-it trupat amerikane.

Për këtë çështje, ka folur në emisionin Pressing edhe kreu i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Shefi i LDK-së, po thotë se ka pas dy vizita në shtëpinë e tij nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Derisa njëra kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë pas mjekimit që pati Mustafa në Gjermani, tjetra ishte për ta “paralajmëruar” të parin e LDK-së, për kërcënimin amerikan që sipas Thaçit iu vendi gjatë vizitës së një delegacioni nga SHBA-të, për heqjen e trupave amerikane nga vendi.

I njëjti ka treguar edhe nëse pas dorëheqjes së Haradinajt ka marrë thirrje nga presidenti.

“Këto ditë nuk më ka kontaktu, kemi pas dy kontakte, dmth dy herë ka qenë në shtëpi te unë njëherë mem vizitu pasi jam kthy, atëherë ka qenë edhe z. Haradinaj edhe Pacolli ka qenë edhe Limaj edhe presidenti i Shqiprësië edhe Ali Ahmeti ka pas njerëz të shumtë që jam shumë falendërues”, tha Mustafa në Pressing, teksa flet edhe për vizitën e dytë.

“E herën tjetër ka ardhë pasi që ka qenë një delegacion amerikan këtu, që të më informojë se ka kërcënime që mund të vjen deri te tërheqja e njesitit amerikan në qoftë se nuk pajtoheshim për taksën”, shton tutje lideri i LDK-së.

Mustafa ka bërë të ditur edhe për përgjigjen të cilën ia ka dhënë presidentit Hashim Thaçi kur ai ka folur për këtë kërcënim amerikan.

“Unë kam thënë që qëndrimet janë këto, nuk është problem ynë është i koalicioni qeverisës, e duhet koalicioni me i zgjedhë, por, qëndrimi I LDK-së është çdo dialog që bëhet nuk mund të preken territoret, ishte Vuçiqi që e ka fut taksën në levën e dialogut, ska qenë ky është problem ma tepër i Serbisë se sa që është i joni”, tha Mustafa.

Lideri i rizgjedhur i LDK-së, ka folur edhe për disa tema tjera sic janë zgjedhjet e brendshme në parti, zgjedhjet e jashtëzakonshme, mundësitë për koalicione e taksa prej 100 për qind.

loading…