Urimi prekës i Luan Krasniqit për Kurtin kryeministër

Ish-boksieri i njohur shqiptar, Luan Krasniqi, ka uruar e përgëzuar kryeministrin e porsazgjedhur, Albin Kurti.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se besimi kaq i madh i qytetarëve, dëshmon siç ka thënë ai për aftësitë e Kurtit.

“I nderuar z. kryeministër Albin Kurti. Më lejoni që me rastin e zgjedhjes suaj si kryeministër i Kosovës t’ju shpreh përgëzimet e mia më të sinqerta, Juve dhe partisë të cilës Ju i takoni. Besimi që u ka dhënë Kosova dhe diaspora e mbarë botës për të udhëhequr me një post kaq të rëndësishëm në një moment kaq jetik për Kosovën, dëshmon për aftësitë dhe kualitetet e Juaja.

Shpresoj se angazhimi i Juaj në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës do të jetë permanent”, ka shkruar Krasniqi.

Luan Krasniqi është një prej boksierëve më të mëdhenj shqiptar. Për kohë të gjatë garoi në boksin profesionist, ndërkohë që si amator fitoi medaljen e bronztë olimpike me Gjermaninë.

“Si sportist, kam besimin që angazhimi i Juaj do të jetë që sportistëve kosovar t’u ofrohen kushte më të mira, dhe përfundimisht talentet kosovarë të kenë mundësi që vlerat e tyre t’i prezantojnë nën flamurin e Kosovës”, ka thënë ai.