Kamer Metaj

Urdhërohet bastisja e pronës së grabitësit në Istog

Prokurorja e rastit të vrasjes në Istog, Sahide Gashi, ka thënë se ka lëshuar urdhrin për bastisjen e pronës së të dyshuarit për tentim grabitjen në Istog, rast në të cilin mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe grabitësi i dyshuar.

“Është urdhëruar bastisja e pronës së grabitësit të dyshuar. Policia ende nuk më kanë informuar në lidhje me atë se çka është gjetur gjatë bastisjes dhe ende jam në pritje”, ka thënë Gashi për Kallxo.com.

Sot pasdite, në një incident në qendër të Istogut, është vrarë zyrtar i Policisë, Izet Demaj si dhe grabitësi i dyshuar, K.M.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur Policia ishte informuar për një tentim grabitje në filialin e bankës NLB.

Porsa kanë shkuar në vendin e ngjarjes, policët janë përballur me plumbat e të dyshuarit, për të cilin besohej se kishte marrë peng dy persona në bankë.
Gjatë përleshjes ishte qëlluar polici Izet Demaj e më pas edhe i dyshuari.

Policin e plagosur e kishin nisur drejt Spitalit të Pejës, ku kishte arritur pa shenja jete.

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë përmes të cilës jep detaje të incidentit të sotëm në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe një grabitës i dyshuar.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 15:30, kur një person i armatosur kishte hyrë në filialin e NLB Bankës.

Me të marrë informacionin zyrtarët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur një person të armatosur, për të cilin dyshohej se i kishte marrë peng 2 persona.
Gjatë përleshjes me armë zjarri, i dyshuari K.M. kishte qëlluar policin Izet Demaj, i cili pas plagëve ishte nisur për në Spitalin e Pejës, ku kishte mbërritur pa shenja jete.
Ndërsa, edhe grabitësi i dyshuar ishte qëlluar nga policët, me ç’rast kishte mbetur i vdekur në vend.

Sipas Policisë, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari.

Këto janë detajet e ofruara nga Policia saktësisht katër orë pas ngjarjes.

“Sot 15:35, në filialin e bankës së NLB-së në Istog, ka ndodhur një rast tentim grabitje e armatosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për t’iu përgjigjur vendit të ngjarjes, ku me të arritur në atë lokacion kanë hasur në personin e dyshuar i cili posedonte një armë zjarri të gjatë, si dhe dyshohej që kishte marrë peng dy persona”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia sqaron se personi i dyshuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve janë detyruar t’i përgjigjen me armë zjarri, duke e neutralizuar dhe duke e lënë të plagosur personin e dyshuar.

Sipas këtij njoftimi, polici Izet Demaj ishte plagosur rëndë dhe kishte kërkuar ndihmë në Spitalin rajonal ntë Pejës.
“Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të armëve të zjarrit një zyrtar policor është plagosur rëndë, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin rajonal të Pejës. Disa orë më vonë nga mjekët kompetent është konfirmuar vdekja e zyrtarit policor (I.D.) i cili ka shërbyer në stacionin policor Istog, si dhe vdekja e personit të dyshuar (K. M.) viti i lindjes 1968 nga fshati Shushicë e Ulët – Istog”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje policia sqaron se të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se personi i dyshuar posedon të kaluar kriminale të kryer në disa vende të Evropës”, thuhet në njoftim.