Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër arrest ndaj Naser Hafizit, drejtorit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Hafizi, i cili dyshohet për përfshirje në aferën e faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit, nuk u gjet të martën në vendin e tij të punës kur Policia e Kosovës zhvilloi një bastisje në Ministrinë e Mjedisit, e as në shtëpinë e tij.

Ai, aktualisht ndodhet në Francë, në një udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Megjithatë, një urdhër-arrest ndaj Hafizit është në fuqi në të gjitha pikat kufitare dhe arrestimi i tij pritet të ndodhë sapo të hyjë në territorin e Kosovës, raporton Paparaci.

Hafizi dyshohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” me rastin e faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit.