Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sonte nga ora 19:00 do të prezantojë planin e tij për Prishtinën e Vjetër. Takimi do të mbahet në shkollën “Elena Gjika”, ku ai ka ftuar qytetarët të bashkohen për të dëgjuar projektet konkrete për këtë zonë.
Ismaili ka theksuar se Prishtina e Vjetër, është një lagje me vlerë historike e kulturore, por që për dekada është lënë pa investime të nevojshme. “Në këtë lagje janë rrënjët e Prishtinës, dhe kjo lagje meriton zhvillim, jo mungesë investimesh,” ka deklaruar ai.
Projektet identifikuese të Ismailit për këtë lagje të rëndësishme përfshijnë:
- Ndërtimin e qendrës komunitare multifunksionale;
- Një çerdhe të re për fëmijët e lagjes;
- Organizimin dhe mbulimin e kabllove elektrike;
- Rrugë të sigurta me ndriçim publik në çdo hapësirë publike;
- Zgjerimin e ngrohjes qendrore të qytetit;
- Rishikimin e planit rregullues të lagjes;
- Rinovimin e shtëpisë së pleqve.
Takimi i sotëm në Prishtinën e Vjetër është pjesë e turit të Uran Ismailit në lagjet dhe fshatrat e kryeqytetit, ku ai po prezanton projekte konkrete që synojnë të ofrojnë zgjidhje të prekshme për problemet e përditshme të qytetarëve.







