Ura që e bashkon Kroacinë do të jetë pa pagesë, ‘hajrin’ ia shohin edhe kosovarët

Në Kroaci sot do të hapet për qarkullim Ura e Peljeshkit, projekti më i madh i infrastrukturës, ndërtimi i së cilës është financuar me gati 80 për qind nga Bashkimi Evropian.

Ura është pjesë e projektit të “lidhjes rrugore me Dalmacinë jugore” dhe përfaqëson projektin më të rëndësishëm gjeostrategjik me interes kombëtar, sepse ndërtimi i saj vendosi vazhdimësinë territoriale të territorit kroat. Vlera totale e projektit llogaritet në 420.3 milionë euro dhe përfshin ndërtimin e një ure, rrugë hyrëse dhe një bypass pranë Stonit.

Ura e Peljeshkit është një nga pesë urat më të mëdha evropiane nëpër gjiret detare që u ndërtuan në fillim të shekullit të 21-të dhe i përket klasit botëror dhe sfida më e madhe ishte projektimi i themelit, duke qenë se ajo është e ekspozuar ndaj erërave dhe ndodhet në një zonë sizmike. Ura e Peljeshkit, e cila lidh jugun e Kroacisë me pjesën tjetër të vendit, është e rëndësishme jo vetëm për Kroacinë, por edhe për zonën më të gjerë evropiane.

Ura do të lehtësojë dhe përshpejtojë dukshëm ardhjen e turistëve në Ballkanin Perëndimor dhe hapja e kësaj ure madhështore u mirëprit nga shumë njerëz në këtë rajon. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se kalimi i urës do të jetë falas.

Kjo urë do t’i ndihmoj shumë edhe kosovarët që jetojnë në Perëndim për të arritur më shpejt dhe më lehtë në atdhe. Deri më tash, për shkak që kjo urë nuk ka qenë e lëshuar, kosovarët janë maltretuar nëpër kufijtë e Bosnjës, pasi Bosnja nuk i njeh ende pasaporta e Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/