Mandati i Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, po shkon drejt përfundimit. Për më shumë, tash e një kohë po flitet për zgjedhje parlamentare gjatë vitit 2024. Pushteti, përmes Mimoza Kusari-Lilës, e ka lënë të hapur mundësinë e zgjedhjeve gjatë këtij viti, ndërsa opozita insiston që ato të jenë të jashtëzakonshme. Por për çka do të mbahet mend Qeveria Kurti II?
Pas një hulumtimi jo edhe aq të gjatë, autori i këtij shkrimi ka arritur t’i gjejë dy “investime” qeveritare, të cilat simbolikisht mund të përfaqësojnë ndoshta më së miri Qeverinë Kurti. Nuk janë investime të mëdha kapitale, madje njëra nuk është fare investim, por veç gurthemel i vendosur.
Ura e Saradranit në Istog dhe gurthemeli i çerdhes në Batllavë të Podujevës janë në garë të ashpër, gati brutale, për simbolikën e përfaqësimit të investimeve kapitale të qeverisë së kryeministrit Kurti, i cili ka një parapëlqim të dukshëm për simbolika.

Në fakt, Ura e Saradranit, gjatësia e sëcilës është e debatueshme, tashmë ka hyrë në diskursin politik, si një metaforë për mungesë të investimeve kapitale nga Qeveria Kurti. Në përurimin e Urë së Saradranit kishte marrë pjesë edhe vetë Albin Kurti. Si rrjedhojë e këtyre dy fakteve, Ura e Saradranit, fshati prej nga vjen deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, është e para në garë për simbolikën e “investimeve” kapitale të çuditshme të Qeverisë Kurti.
Por në garë, madje fuqishëm në garë, që nga mbrëmë është edhe gurthemeli i çerdhes në Batllavë të Podujevës, për të cilën çështje raportoi Nacionale. E ritheksojmë: gurthemeli, GURThEMELI, G U R Th E M E L I. Kjo pasi përveç disa kacive të betonit, aty ende nuk ekziston asgjë tjetër.
Në vendosjen zyrtare të gurthemelit kishte marrë pjesë vetë minsitrja e Arsimit, Arberie Nagavci, ndërsa Kurti e kishte publikuar në faqen e tij në Facebook vendosjen e gurthemelit. Arsyetimi i MAShTI-t për mungesën e punimeve ndërlidhej me arsye atmosferike.
“Gurthemeli i vendosur me 30.11.2023 është zyrtar dhe nuk bëhet fjalë për mashtrim, por për shkak të kushteve atmosferike deri më tani OE (Operatori Ekonomik) nuk ka mundur të fillojë me punime. Punimet pritet të fillojnë shpejtë, në të kundërtën, bazuar në kushtet e kontratës do të merren masa ligjore” – thuhej në komunikatën e MASHTI-t, transmeton Nacionale.
Pra MAShTI u ankua për motin, ndonëse mundësia e parashikimit të tij tashmë është një fakt shkencor. Mjafton të shikohen aplikacionet e ndryshme të motit ose të pyetet Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për të kuptuar se kur është koha më e mirë për të vendosur gurthemele e ndërtuar çerdhe.
Me shumë gjasë, mungesa e gurthemeleve duket ta ketë shtyrë MAShTI-n të hidhte ca lopata të betonit në Batllavë. Sjellim ndërmend që Qeveria Kurti vazhdimisht është kritikuar për mungesë të investimeve kapitale.







