UP-së i vazhdohet akreditimi edhe për 5 vjet

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, në mbledhjen e datës 25 qershor, ka riakredituar Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” edhe për 5 vjet.

Rektori Marjan Dema i është gëzuar vendimit për riakreditim, duke thënë se vendimi dhe vlerësimi në detaje i performancës së UP-së kanë konstatuar që ka shënuar përparime të mëdha dhe vazhdon të jetë institucion lider i arsimit të lartë.

Ai falënderoi stafin akademik dhe administrativ, menaxhmentet e fakulteteve, studentët dhe partnerët për punën e palodhshme të bërë për ngritjen e cilësisë së institucionit, si dhe akreditimin e tij në veçanti.

Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë në Universitetin e Prishtinës është zhvilluar në maj të këtij viti, duke qenë njëherësh i pari institucion vendor i vlerësuar përmes një procesi të mbajtur tërësisht online.Për riakreditimin e UP-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, si dhe nivelin e studentëve./kp