UP nuk e avancoi në gradë, reagon ministrja Bajrami

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka reaguar të enjten ndaj vendimit të Senatit të UP-së për të mos e avancuar atë në gradë.


Përmes një postimi në “Facebook”, Bajrami ka bërë të ditur se lënda për votim lidhur me avancimin e saj në gradën profesor i asocuar ishte kthyer në rishqyrtim në Këshillin e Fakultetit Ekonomik.“Gjithçka që ka ndodhur me avancimin tim është te një punim, ku unë jam autore korrespondente”, bën të ditur ajo.

“Mirëpo, revista nuk i dallon autorët në punimet që i publikon”, shkruan në vazhdim.

Sipas Statutit të UP-së, kandidatët për profesor të asocuar duhet të kenë së paku tri punime shkencore, ose si autorë, ose korrespodentë.

“Po e shpjegoj edhe një herë se i plotësoj të gjitha kriteret ligjore për avancim bazuar në rregullore dhe në Statutin e Universitetit të Prishtinës. Kam 3 punime të indeksuara në revista kredibile të indeksuara në platformat e aprovuara nga Senati i UP. Në dy punimet jam autore e parë ndërsa në të tretin jam autore korrespodente”, shkruan Bajrami.

Ajo më tutje ka folur për “kërkesat e presionet për tërheqjen nga ky konkurs”.

“Në forma zyrtare e jozyrtare kam pasur ‘kërkesa’ të tërhiqem nga konkursi. Këto kërkesa më shumë i kam parë si formë shantazhi dhe kam vendosur të mos i përfilli. Kam pasur edhe fjalë prej njerëzve që s’kanë asnjë pozitë në UP dhe në institucione se mund të rihapin konkursin brenda vitit. Edhe këto fjalë i kam kuptuar si formë shantazhi. Me lehtësi dhe vendosmëri i kam anashkaluar”, shkruan ajo.