Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Profesori Xhevat Krasniqi me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të UP-së.

“Bazuar në informatat e ofruara nga Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës, në lidhje me denoncimin e paraqitur ndaj Prof. Xh.K., UP njofton se Këshilli i Etikës ka marrë vendim mbi këtë rast.

Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit që çështjen e referuar kundër Prof. Xh.K. ta procesojë edhe formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to.

Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit pezullimin nga puna të Prof. Xh.K, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit.

Për këto dhe çështje të tjera të vendosura, Këshilli i Etikës do të nxjerrë vendim me shkrim, i cili do t’u komunikohet palëve gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulm ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së. Me datë 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga individë, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, thuhet në njoftimin e UP-së.