UP-ja i kërkon sërish AKA-së rritjen e numrit të studentëve që do të pranohen në Mjekësi

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” më 18 korrik të këtij viti kishte dërguar kërkesë tek Agjencia Kosovare e Akreditimit, respektivisht Këshilli Shtetëror i Cilësisë, për rritjen e numrit të studentëve që do të pranohen në programet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri në këtë Universitet, për vitin akademik 2019/20.

Por, kjo kërkesë e Senatit u hodh poshtë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë me 3 vota kundër, në mbledhjen e 76-të të këtij Këshilli të mbajtur më 25 korrik 2019.

Në dokumentet që ka siguruar Ballkani.info shihet se KShC-ja i dha afat 30 ditë Universitetit të Prishtinës për të parashtruar ankesë për këtë vendim.

Ballkani.info ka kontaktuar me Universitetin e Prishtinës për të kuptuar nëse ky institucion ka paraqitur ankesë për vendimin e KShC-së.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, pas refuzimit të kërkesës për rritjen e numrit të studentëve në programet ‘Mjekësi e Përgjithshme’ dhe ‘Infermieri’ në Fakultetin e Mjekësisë, ka parashtruar sërish kërkesë për rishqyrtim të vendimit të KShC/AKA-së, duke kërkuar rritjen e këtij numri”, thonë nga UP-ja për Ballkani.info.

Të pyetur se çfarë do të ndodhë me studentët të cilët janë pranuar në këto programe, në rast se kuota nuk do të rritet, nga Universiteti i Prishtinës thanë se konkursi i shpallur nga UP-ja ishte në harmoni me Ministrinë e Arsimit dhe AKA-në.

“UP-ja ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj sipas kuotave të miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe sipas specifikave të akredituara nga AKA-ja”, thuhet në përgjigjen e UP-së.

Për rritjen e numrit të studentëve në programet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri, Senati i Universitetit të Prishtinës kishte bërë kërkesë edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, më 12 korrik 2019.

Kërkesa e Senatit ishte aprovuar nga MAShT-i më 15 korrik të këtij viti, thuhet në vendimin e siguruar nga Ballkani.info.

Në arsyetimin e ministrisë thuhej se kërkesa e UP-së aprovohet duke u bazuar në faktin se në numrin e shpallur në konkurs janë përfshirë 17% të kuotave për komunitetet joshumicë dhe për kandidatët shqiptarë jashtë Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, vendimi i MAShT-it ishte mbështetur edhe në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e numrit të studentëve në këto degë, kërkesë kjo sipas kësaj të fundit e bazuar në nevojat aktuale.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili kishte thënë se është duke u bërë një angazhim i madh për ta rritur numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në mënyrë që të rritet edhe numri i mjekëve.

“75 studentë më shumë në Fakultetin e Mjekësisë për më shumë mjekë në dispozicion të qytetarëve. Ju e dini që sot Kosova ka 0.8 mjekë në dispozicion për 1 mijë banorë, ndërkohë vendet e zhvilluara e kanë një mesatare prej 4.2 mjekëve për 1 mijë banorë”, kishte thënë ministri Ismaili.

Vendimin e ministrit e kishte përshëndetur edhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, e cila kishte thënë se ky është një vendim që i shërben Fakultetit të Mjekësisë, studentëve por edhe qytetarëve të Kosovës.

Ballkani.info që nga dje ka provuar të kontaktojë me Gazmend Lubotenin, kryetarin e Këshilit Shtetëror të Cilësisë, por edhe pas shumë thirrjeve, ai nuk e ka hapur telefonin.

Në Fakultetin e Mjekësisë janë pranuar deri tash nga 150 studentë për mjekësi të përgjithshme, ndërsa këtë vit pritet të pranohen 225./Donjeta Murselaj – Ballkani.info/

loading…