UNMIK-u mirëpret vendimin për heqjen e barrikadave, kërkon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Mbrëmë vonë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prit në takim përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ku u diskutua për barrikadat.

Pas takimit, rreth orës 24:00, Vuçiqi njoftoi se është marrë vendimi për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Për këto zhvillime ka reaguar shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e cila thotë se mirëpret masat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, duke përfshirë heqjen e barrikadave.

Ajo falënderon për “përpjekjet e mundimshme të të gjitha palëve”, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar sigurinë e popullit të Kosovës në të gjitha komunitetet.

“Ziadeh thekson rëndësinë e mbajtjes së zotimeve dhe rifillimit të bisedimeve për adresimin e plotë të çështjeve të pazgjidhura dhe normalizimin e marrëdhënieve pa vonesë. Ajo shpreh vlerësimin e saj për vendosmërinë e palëkundur të partnerëve ndërkombëtarë për të nxitur dialogun drejt sigurisë dhe stabilitetit, në respekt të plotë të mandateve të tyre”, ka thënë Zyra për Informim e UNMIK-ut.