Gjykata Themelore

“Universum” fiton gjyqin kundër Agjensisë së Akreditimit

Gjykata Themelore e Prishtinë përmes një aktgjykimi ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimin që të anulojë një vendim të vitit 2014 që ka të bëjë me refuzimin për akreditim të disa programeve të Kolegjit ‘Universum’.

Kolegji ‘Universum’ më 22 shtator të vitit 2014 e kishte paditur Agjencia e Akreditimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ndërsa, Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ vendimmarrës brenda Agjencia Kosovare e Akreditimit për akreditimin apo mosakreditimin e universiteteve publike dhe private, raporton kallxo.com.

Në aktgjykimin e siguruar nga ‘Gazeta Jeta në Kosovë’, Kolegji “Universum“ në padi kishte pretenduar se ‘edhe përkundër të gjitha përgatitjeve programore, teknike dhe kadrovike për akreditimin e programeve të reja dhe degëve në Prizren dhe Gjakovë me programe ekzistuese të akredituara, e paditura nuk i ka akredituar programet e reja: Gjuhë Angleze BA dhe Qeverisje MA, si dhe degën në Gjakovë”.

Më datën 14 gusht të vitit 2018, gjykata shpalli aktgjykimin që e konsideron të bazuar padinë e ‘Universum’ lidhur me vendimin për mosakreditim të programeve dhe vendimin për refuzimin e ankesës së kolegjit për vendimin e parë.

Arsyetimet e dhëna nga Agjencia e Akreditimit nuk e kanë bindur gjykatën. E paditura në këtë rast në përgjigjen e saj kishte mohuar padinë duke thënë se KSHC “ ka ardhur në përfundim se paditësi nuk ka kapacitete të mjaftueshme për hapjen e dy degëve në të njëjtën kohë sepse nga dyzetë e shtatë persona të deklaruar staf akademik, vetëm gjashtë prej tyre kishin gradën shkencore Dr.sc”.