Profesor dhe studentë të universitetit ilegal serb në Mitrovicën e Veriut i ashtuquajtur si “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, kanë vendosur kurora lulesh pranë shtatores së konsullit rus Grigoriy Schterbina i vrarë në Mitrovicë në vitin 1903 nga Halit (Ibrahim) Popofci. Aktiviteti dëshmon rritjen e tendencës dhe aktivitetit rus për shtrirje të ndikimit të Rusisë në Ballkan përmes Serbisë dhe strukturave ilegale serbe në Kosovë.

Konsulli rus Grigoriy Stepanovic Schterbina ishte i njohur për qasjen e tij anti shqiptare dhe kishte marrë pjesë në shtypjen e protestave dhe revolatave shqiptare të kohës. Madje burimet historike të kohës dëshmojnë se konsulli rus Schterbina kishte qenë i angazhuar në spastrimin etnik ndaj shqiptarëve, shkak për të cilin konsulli rus ishte vrarë nga Halit Popofci me urdhër të Isa Boletinit. Vrasja e konsullit rus ishte pasqyruar edhe në shtypin e kohës.

Për më tepër ky aktivitet është realizuar në shënimin e ditës së diplomacisë ruse dhe është promovuar dhe nga Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë me qendër në Beograd, “Shtëpia ruse” (Ruski dom).

Nderimi që i është bërë konsullit të vrarë rus nga profesor dhe studentë të Departamentit të Gjuhës Ruse, të Fakultetit Filologjik të Universitetit ilegal serb të Mitrovicës së Veriut, dëshmon për tendencat e Rusisë dhe Serbisë për ndryshim të narracioneve historike dhe rehabilitimit të krimeve të kryera nga Serbia dhe Rusia në Ballkan.

Mediat kishin raportuar se një delegacion nga “Shtëpia ruse” (Ruski dom), kishte vizituar Kosovën në muajin maj të vitit 2021, për t’u takuar me përfaqësuesit serbë, përfshirë ministrin e Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Igor Simiq.

Delagacioni rus kishte takuar gjithashtu edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë dhe Deçan si dhe kishte arritur marrëveshje bashkëpunimi me universitetin ilegal serb të Mitrovicës veriore. Këto aktivitetet ishin zhvilluar me mbështetjen e së ashtuquajturës “Zyrës në Prishtinë të Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Serbisë”.