Për studentët që do të shkojnë në Universitetin Colby në shtetin Maine të SHBA-së, testimi i koronavirusit do të jetë pjesë rutine e jetës në konvikt. Të gjithë studentët duhet të japin mostra çdo të dytën ditë për dy javë, e pastaj dy herë në javë. Universiteti do të bën 85,000 teste, pothuajse sa ka pasur i tërë shteti i Maine që nga fillimi i pandemisë.
Colby, që është universitet privat me 2,000 studentë, është në mesin e shumë universiteteve tjera të cilat po lajmërojnë plane agresive të testimit për të izoluar Covid-19 para se të përhapet. Universiteti i Harvard ka thënë se të gjithë studentët që jetojnë në konvikt do të testohen tre here në javë. Universiteti i Bostonit do t’i testojë studentët së paku një herë në javë, shkruan AP.
Por çështja nëse universitetet duhen testuar çdo student, dhe nëse ka kapacitet për këtë gjë, është temë e debatit. Disa universitete planifikojnë të testojnë studentët vetëm nëse kanë simptome apo kane qenë në kontakt me ndonjë person të infektuar. Por disa hulumtues thonë se kjo qasje mund të çon deri te shpërthimi i infektimeve nga studentët që nuk tregojnë simptoma, transmeton KOHA.
Gjersa Universitetet nxitojnë me planet e testimeve, zyrtarët janë duke paralajmëruar se kjo gjë mund t’i ngarkojë laboratorët që bëjnë teste për spitale. Në një bisedë me guvernatorët të hënën që shkoi, Sekretari i Shërbimeve Njerëzore i SHBA-së Alex Azar tha se shumë universitete po nënshkruajnë kontrata me laboratorë privat, dhe kjo kërcënon të bllokojë kapacitetin e tërë sistemit.
Në vend të kësaj, Azar tha se universitetet duhet të zhvillojnë testimet në laboratorët e tyre, posaçërisht nëpër universitete të mëdha kërkimore.
Testi për virus është vetëm njëra nga masat të cilat universitetet po planifikojnë këtë vjeshtë. Shumica planifikojnë edhe zvogëlimin e klasave, kapacitetin e konvikteve, maskat e detyrueshme dhe ndalimin e tubimeve të mëdha.
Qendra për Kontroll dhe Paralajmërim të Sëmundjeve nuk po inkurajon testimin gjithëpërfshirës, duke thënë se duhen testuar vetëm studentët më simptome. Kjo agjenci ka thënë se testimi gjithëpërfshirës duhet bërë vetëm nëpër rajone ku virusi ka shkallë të madhe të transmetimit.
Por hulumtuesit në shumë universitete paralajmërojnë se mbështetja vetëm në simptome nuk do të mjaftojë. Thonë se shumë të rijnë mbajnë virusin por nuk tregojnë simptome. Pa ndalimin e këtyre rasteve, thonë se virusi mund të del jashtë kontrollit.







