Unitedi këndellet falë Ronaldos

Manchester Unitedi e ka lënë pas humbjen turpëruese nga Liverpooli javën e kaluar dhe ka arritur fitoren e parë pas pesë ndeshjeve në Premier League në udhëtim te Tottenhami me rezultat 3:0.

Më meritori për këtë fitore të “Djajve të Kuq” ishte Cristiano Ronaldo, që realizoi golin e parë në minutën e 39-të dhe asistoi te goli i dytë i Edinson Cavanit në të 64-n. Portugezi tani arrin në kuotën e katër golave dhe një asistimi në kampionatin anglez këtë edicion. 

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Marcus Rashford (87’), i cili u inkuadrua në lojë si zëvendësues i Ronaldos.

Me këtë fitore, Unitedi ka 17 pikë në vendin e pestë ndërsa Tottenham me 16 pikë mban pozitën e tetë.