UNICEF kërkon mbrojtjen e vajzave e djemve nga format e ndryshme të dhunës

UNICEF ka shprehur sot shqetësim për sulmin seksual ndaj një 11-vjeçareje dhe kërkon nga autoritetet ta rrisin mbrojtjen e vajzave e djemve nga të gjitha format e dhunës, si dhe të sigurojnë shërbimeve për viktimat dhe familjet e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Është e rëndësishme që fëmija në fjalë të merret nën përkujdesje dhe mbrojtje të menjëhershme dhe të garantohet drejtësia me masa përkatëse mbrojtëse, shërbime dhe konfidencialitet për fëmijën përgjatë tërë procesit, thuhet në reagim.

UNICEF-i mbështet thirrjet e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile për llogaridhënie lidhur me këtë shkelje të të drejtave të fëmijëve dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit të dhunës ndaj vajzave e grave, duke thënë se mbrojtja nga dhuna e abuzimi parashihet edhe me Konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijës.

Postimi i plotë:

DEKLARATË E UNICEF-it

Organizata UNICEF është e tronditur dhe tejet e brengosur nga raportimet për sulmin seksual ndaj një vajze 11-vjeçare në Prishtinë të shtunën. Është kritike që fëmija në fjalë të merret nën përkujdesje dhe mbrojtje të menjëhershme dhe të garantohet drejtësia me masa përkatëse mbrojtëse, shërbime dhe konfidencialitet për fëmijën përgjatë tërë procesit. Mbrojtja e dinjitetit dhe privatësisë së fëmijëve të mbijetuar të dhunës është tejet e rëndësishme.

UNICEF-i mbështet thirrjet e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile për llogaridhënie lidhur me këtë shkelje të të drejtave të fëmijëve dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Mbrojtja nga dhuna dhe abuzimi është e drejtë e çdo fëmije, siç edhe parashihet me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës (KDF). UNICEF-i u bën thirrje autoriteteve përkatëse që ta rrisin mbrojtjen e vajzave dhe djemve nga të gjitha format e dhunës, si dhe të sigurojnë ofrimin e shërbimeve cilësore për viktimat dhe familjet e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.