Avokati i Popullit ka nisur hetimet për vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbledhjen e së mërkurës. Ndonëse deri më tani ka pasur shumë reagime se një vendim i tillë është i kundërligjshëm, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila obligohet që ta ruajë kushtetutshmërinë, nuk ka pasur ndonjë deklarim rreth kësaj çështje.
Gazeta Nacionale ka mësuar se sipas detyrës zyrtare, Avokati i Popullit ka nisur hetimet për vendimin e shumëpërfolur këto ditë të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, atë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Ky institucion, do të analizojë vendimin e Qeverisë, që nga shumë njohës të çështjes,u konsiderua si i jashtëligjshëm.
Presidentja ende e heshtur
Pavarësisht reagimeve, Vjosa Osmani, e cila garanton funksionim kushtetutës të institucioneve, ka qenë e heshturderi më tani në lidhje me uljen e pagave.
Gazeta Nacionale është interesuar në Presidencën e Kosovës në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk kemi marrë përgjigje.
Neni 84 i Kushtetutës së Kosovës shpjegon qartë kompetencat e presidentit të vendit, në këtë rast, Vjosa Osmanit.
Pika 2 thotë se: Presidenti i Republikës së Kosovës garanton funksionim kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë.








