Ulet çmimi i testit për COVID-19 në Aeroportin e Vjenës

Çmimi i testit RT-PCR për COVID-19 në Aeroportin e Vjenës do të ulet gjatë ditëve të ardhshme. Duke filluar nga e shtuna, testin për COVID-19 mund të bëhet për 120 euro, në vend të 190 eurove sa është aktualisht.

Zyrtarët e Aeroportit të Vjenës e arsyetojnë këtë duke thënë se testet tani mund të bëhen më efikase.

“Me këtë ofertë, e cila është unike në Austri, aeroporti mbështet luftën e autoriteteve austriake kundër pandemisë”, tha Günther Ofner, zyrtar i aeroportit.

Qendra Shëndetësore e Aeroportit të Vjenës tani është e hapur nga e hëna deri të dielën, me fillim nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes.

Rezultati i testit do të dërgohet me e-mail pas 3-6 orësh. Gjatë fundjavave apo festave, testi dërgohet të nesërmen.