Forcat e zbulimit ukrainas nga brigada e artilerisë Çornji Lis (Pylli i Zi) zbuluan dhe kryen një sulm ndaj lëshuesit rus të sistemit të avancuar anti-ajror Buk-M3, i cili më pas u shkatërrua në një nga fushat kryesore të betejës, njoftoi Grupi Operacional dhe Strategjik i Horticia.

Në njoftimin për shtyp thuhet se bëhet fjalë për një sistem raketor modern me rreze të mesme veprimi që ishte i pajisur me municion në momentin e sulmit, transmeton Ballkani.info.

“Sistemi i raketave anti-ajrore Buk-M3 të armikut u shkatërrua në një nga fushat kryesore të betejës. Njësitë e zbulimit të brigadës së artilerisë “Çornji Lis” zbuluan dhe drejtuan me saktësi zjarrin ndaj lëshuesit të sistemit të avancuar, i cili u zbulua në pozicion para sulmit”, thanë forcat ukrainase në një deklaratë.

Brigada “Çornji Lis” ka publikuar edhe një video ku shihet momenti i shkatërrimit të sistemit rus. Buk-M3 është versioni më modern i sistemit raketor rus Buk dhe konsiderohet si një nga elementët kryesorë të mbrojtjes ajrore të Rusisë. Ai është i destinuar për shkatërrimin e objektivave në ajër, por edhe në tokë dhe det, dhe rrezja e tij arrin deri në 70 kilometra. Sipas vlerësimeve, çmimi i një sistemi është rreth 45 milionë dollarë. /Ballkani.info/