Ukraina thotë se bisedimet me Rusinë janë “shumë të vështira”

Ukraina tha më 25 mars se bisedimet me Moskën janë “shumë të vështira” dhe u zotua se nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj.

“Procesi negociues është shumë i vështirë”, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Delegacioni ukrainas ka një qëndrim të fortë dhe nuk heq dorë nga kërkesat e tij. Ne insistojmë, para së gjithash, për një armëpushim, garanci të sigurisë dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shtoi ai.

Ai po ashtu tha se “nuk ka konsensus” në çështjet kyçe me Rusinë, që ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

“Në veçanti, gjuha ukrainase është dhe do të jetë gjuha e vetme zyrtare në Ukrainë”, tha ai.

Këto deklarata Kuleba i bëri pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të premten se Kievi dhe Moska duket se kanë arritur marrëveshje në katër pika negociuese, përfshirë edhe çështjen e gjuhës.

Përderisa Kuleba tha se kjo nuk është e vërtetë, ai shtoi se Ukraina i është mirënjohëse Turqisë “për ndihmën e saj politike dhe humanitare, por edhe përpjekjeve diplomatike që kanë për qëllim dhënin fund të luftës së Rusisë në Ukrainë”.

Ukraina dhe Rusia deri më tani kanë mbajtur një sërë rundesh negociuese, por ende nuk kanë arritur ndonjë rezultat konkret për dhënien fund të luftës./REL